Alsat-M

ALSAT-M ka filluar të transmetojë në mars të vitit 2006 dhe është një stacion televiziv kombëtar që transmeton në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë. Programet e veta i mbështet në konceptet evropiane të informimit dhe synon të kultivojë bashkëjetesën shumë-etnike në Maqedoni.
Teknologjia e përgjithshme dhe skema e programeve u përgjigjen plotësisht standardeve bashkëkohore, të domosdoshme për funksionimin e një televizioni modern, dhe që përmbushin si nevojat vendase, ashtu edhe kriteret e domosdoshme për transmetimet ndërkombëtare.  Programet janë dinamike, me lajme në gjuhën shqipe dhe maqedonase, me emisione politike, ekonomiko-financiare, historike, akademike, sociale, kulturore, muzikore, argëtuese, sportive, etj., të gjitha në dy gjuhë.
Karakteri dygjuhësor i programeve të ALSAT-it e bën këtë stacion televiziv që të jetë unikal në Evropë dhe më gjerë.
ALSAT-M prodhon emisione të shumëllojshme, transmeton gjithnjë direkt nga vendi i ngjarjes; gazetarët dhe operatorët përdorin pajisje dhe kamera dixhitale moderne. Programet e suksesshme të këtij stacioni televiziv mbështeten mbi projektet e suksesshme televizive.
 Televizioni ALSAT-M është investimi me serioz që është bërë, gjatë viteve të fundit, në biznesin mediatik në Maqedoni, dhe zhvillohet, vazhdimisht, me potencial njerëzor dhe teknologji moderne. ALSAT-M është krijuar që të qëndrojë dhe të mbetet një emër i dallueshëm në hapësirat ballkanike dhe evropiane.